ENG  |  SQ

 
 

Kolegji "PJETËR BUDI" - Studime Baçelor/Master

Transferi i notave dhe kredive

Transferi i notave dhe kredive bazohet në dokumentet relevante nga Procesi i Bolonjës, Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, dhe Udhëzimi Administrativ i MASHT-it për sistemin e ECTS kredive. Përmes këtij sistemi mundësohet mobiliteti (lëvizshmëria) apo bartja e studentëve nga një institucion i Arsimit të Lartë në institucionin tjetër brenda vendit dhe jashtë.
Kolegji “Pjetër Budi” ka miratuar rregulloren e posaçme për transferim të notave dhe kredive, me të cilën përcaktohen kriteret dhe kushtet për transferim në Kolegj.
Sipas kësaj Rregulloreje, Kreditë të cilat studenti i ka marrë në bartësit e tjerë të arsimit të lartë, në vend dhe jashtë, mund të pranohen si transfer-bartje, nëse studenti ka së paku notën 6 (apo ndonjë notë tjetër që sipas sistemit të vendit ku është fituar llogaritet notë kaluese) dhe përmbajtja e kurseve korrespondon me atë të kurseve të Kolegjit për Studime “Pjetër Budi”, në masën prej 50%.
Studimet universitare  në  Kolegjin “Pjetër Budi”, do të vazhdohen me transferim të kredive nga bartësit e tjerë të arsimit të lartë, nëse janë të akredituara dhe nëse ofrojnë diplomë për arsim të lartë apo diplomë për arsim dyvjeçar (sistemi i vjetër i Shkollave të Larta dhe sistemi i ri i Shkollave Profesionale). 
Transferimi nga bartësit Arsimit të Lartë, të cilët nuk janë plotësisht të akredituar apo nuk kanë statusin e kandidatit për akreditim në asociacionet për akreditim, do të llogaritet në transfer kredi vetëm nëse Dekani i Kolegjit së bashku me udhëheqësin e programit studimor ku studenti dëshiron të regjistrohet japin leje. 
Leja jepet në bazë të analizimit të përmbajtjes së kurseve (programit të kurseve), intervistave, dhe/ose provimeve/testeve gojore dhe/ose me shkrim.
Transferimi i notave dhe kredive bëhet në dy nivelet Bachelor dhe Master, në Programet Studimore të akredituara dhe të licencuara nga Agjencia Kosovare e Akreditimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kolegjit “Pjetër Budi”. 
 

Afatet për transferimin e kredive

Transferimi i notave dhe kredive bëhet në dy afate brenda vitit akademik:
- Afati i parë korrespondon me afatin e regjistrimit të studentëve të ri, fillon në muajin korrik dhe përfundon me 15 tetor të vitit akademik për studimet Bachelor, ndërsa në studimet Master përfundon me datën 15 nëntor të vitit akademik përkatës; dhe 
- Afati i dytë për transferim i cili fillon me 15 janar dhe përfundon me 15 shkurt të vitit akademik.
 

Procedura e transferimit të notave dhe kredive

Studenti mund të transferohet nga një bartës i arsimit të lartë, në Kolegjit “Pjetër Budi”, në studimet Bachelor dhe Master, mirëpo, paraprakisht duhet të paraqes kërkesën me shkrim, me të cilën i drejtohet Dekanit të Kolegjit “Pjetër Budi”. Së bashku me kërkesën studenti duhet të paraqesë:
- Certifikatën e notave dhe kreditë e fituara të bartësit të arsimit të lartë nga i cili transferohet; 
- Një kopje të programit të kryer në bartësin e arsimit të lartë, nga i cili transferohet;
- Diplomën e shkollës së mesme (origjinal ose kopje të noterizuar);
- Dëftesat e shkollës së mesme (origjinal ose kopje të noterizuar);
- Certifikatën e lindjes.
Ndërsa për transferim në studimet Master kërkohen këto dokumente:
- Certifikatën e notave dhe kreditë e fituara të bartësit të arsimit të lartë nga i cili transferohet; 
- Një kopje të programit të kryer në bartësin e Arsimit të Lartë, nga i cili transferohet;
- Diplomën Bachelor (kopje të noterizuar); dhe
- Certifikatën e lindjes. 
Pas paraqitjes së kërkesës me shkrim dhe dorëzimit të dokumenteve të nevojshme Dekani i Kolegjit me vendim formonin Komisionin për transferim të notave dhe kredive i cili ka për detyrë të bëjë barasvlerësimin e përmbajtjes së lëndës dhe me vendim të posaçëm lejon transferimin e notës dhe kredisë të cilat shënohen detajisht në vendimin për transferim. Pas vendimit të  Komisionit, Dekani i Kolegjit vendos për lejimin e transferimit të notave dhe kredive dhe përcakton semestrin në të cilin transferohet studenti përkatës.
Pragu për transferim të studentit është që t’i pranohet të paktën një notë dhe t’i barasvlerësohen ECTS kreditë.
Për transferim të kredive, konsultohet edhe Zyra e ECTS-së.
Kolegji “Pjetër Budi” lejon transferimin studentëve nga një Program Studimor në tjetrin në kuadër të Kolegjit “Pjetër Budi”.